Secondary Adv

2025, shërbimi i borxhit arrin rekord historik 1,5 mld euro nga maturimet e larta të huave

Pagesat për borxhin u rritën 53%, të nxitura kryesisht nga kthimi i principalit.

Shpenzimet buxhetore për shërbimin e borxhit të qeverisë qendrore arritën nivel rekord në vitin 2025, duke shkuar në rreth 145 miliardë lekë, ose 1,5 miliardë euro, me një rritje prej 53% krahasuar me vitin 2024. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, nga rreth 94.9 miliardë lekë një vit më parë. Rritja lidhet kryesisht me kthimin e principalit dhe jo vetëm me interesat.

 

Maturimet e Eurobondit rritën pagesat

Gjatë vitit 2025, pagesat për shlyerjen e principalit të borxhit të jashtëm arritën mbi 90 miliardë lekë, nga rreth 40 miliardë lekë një vit më parë. Qeveria u përball me maturime të larta të huave të mëparshme, përfshirë Eurobondin, dhe rifinancoi rreth 1,5 miliardë euro. Kjo valë maturimesh e çoi shërbimin e borxhit në pikën më të lartë historike.

 

Interesat në nivelin më të lartë që nga 2015

Edhe pagesat për interesa vijuan trendin rritës, duke arritur në rreth 54.7 miliardë lekë në 2025, niveli më i lartë që nga viti 2015. Krahasuar me vitin 2017, kur barra e interesave ishte rreth 31.9 miliardë lekë, rritja pas pandemisë reflekton shtrenjtimin e financimit si pasojë e inflacionit global dhe normave më të larta të interesit.

 

Pesha e borxhit të brendshëm

Struktura e interesave tregon se rreth dy të tretat lidhen me borxhin e brendshëm. Në vitin 2025, interesat për borxhin e brendshëm arritën mbi 35 miliardë lekë, ndërsa për borxhin e jashtëm rreth 19.5 miliardë lekë, duke theksuar varësinë e financave publike nga tregu vendas i huamarrjes. Në total, shërbimi i borxhit zuri 5,5% të PBB-së, niveli më i lartë që nga 2015.

 

Parashikime për ulje afatgjatë

Sipas parashikimeve afatgjata të Ministrisë së Financave, kostot e shërbimit të borxhit kulmuan në 2025 dhe pritet të bien gradualisht deri në vitin 2053. Pritet që në vitin 2030 këto kosto të zbresin në 69 miliardë lekë, në 24 miliardë lekë në vitin 2034 dhe në 16 miliardë lekë në vitin 2053.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat